Wp/aln/Kosova

From Wikimedia Incubator
< Wp‎ | aln
Wp > aln > Kosova
Kosova
Prishtina, Kosova në vitin 2005
Flamuri i Kosovës

Kosova (historikisht: Dardania,[1] Kosovo), zyrtarisht Republika e Kosovës; anglisht: Republic of Kosovo), asht vend i pamvarun n’Evropën Juglindore. Shtrihet në qendër të Gadishullit Ballkanik dhe kufizohet në veri dhe në lindje me Serbinë, në juglindje me Republikën e Maqedonisë, në jugperëndim me Shqipninë dhe në perëndim me Malin e Zi. Ka sipërfaqe prej 10.887 km² dhe popullsi prej 2 milion banorësh,[2] prej të cillëve rreth 600 mijë banojnë në Prishtinë, kryeqytetin dhe qendrën ma të randësishme të vendit. Shumica dërmuese e popullsisë janë shqiptarë, ndërsa komunitetet tjera përfshijnë serbët, turqit, boshnjakët, romët, ashkalijtë, egjiptasit dhe goranët.[3]

Me shpalljen e pamvarsisë më 2008, Republika e Kosovës u ba shteti ma i ri në botë. Ka prodhue stabilitet të mbrendshëm dhe rajonal,[4] si dhe synon antarsim në NATO dhe në Bashkim Evropian. Kosova asht vatër e vazhdimsisë së qytetnimit të lashtë iliro-dardan dhe e zhvillimit të gjuhës shqipe si pasardhëse e vetme e gjuhëve ilire.[5][6] Në shek. IV p.K. u themelue Mbretnia Dardane, ndërsa ma vonë pasunia nëntokësore e Kosovës luejti rol të randësishëm n’ekonominë e Perandorisë Romake, Perandorisë Osmane dhe ish-Jugosllavisë.[7] Megjithate, politikat antishqiptare, luftat, statusi politik dhe keqadministrimi ndërkombtar e vendor në vitet e fundit kanë ba që Kosova me u radhitë si vendi ma i varfën n’Evropë dhe ndër ma të varfnit në botë.[8] Më 29 qershor u nënshkrue antarsimi i Republikës së Kosovës në Fond Monetar Ndërkombtar dhe Bankë Botnore.[9] Remitancat prej diasporës dhe ndihma ekonomike e BE-së dhe Shteteve të Bashkueme janë shtyllë e ekonomisë kosovare, që shënon mbi 40% të papunë.[2]

Ish-njisi federale e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë,[10][11] Kosova asht vendi i fundit qe e fitoi mëvetsinë si rrjedhojë e shpërbamjes së përgjakshme të kësaj federate. Më 1990, Kosova u shpall republikë dhe më 1991 shtet i pamvarun, mirëpo nuk arriti me jetësue shtetsinë e vet në rrethanat e okupimit ushtarak serb që zgjati plot nji dekadë (1989-1999). Qëndresa paqësore mbarëpopullore, Lufta e Ushtrisë Çlirimtare (1997-1999) dhe ndërhymja ajrore të NATO-s në pranverë 1999 i dhanë fund gjenocidit të Serbisë mbi popullatën shqiptare të Kosovës. Trupat e NATO-s hynë në Kosovë në qershor 1999, ndërsa po largohej ushtria serbe, dhe Kosova u administrue prej nji misioni të Kombeve të Bashkueme deri më 2008. Më 17 shkurt 2008, Kosova u shpall shtet i pamvarun dhe sovran dhe deri tash a njoftë prej 75 vendeve në krejt botën,[12][13] por vazhdon me u kundërshtue prej Serbisë qe pretendon sovranitet mbi mbarë truellin kosovar.[14]

Referencat[edit | edit source]

  1. Arthur Evans, “Some Observations on the Present State of Dardania,” R. Elsie ed., Albanian History
  2. 2.0 2.1 CIA World Factbook "Kosovo: Unemployement rate." Shkalla e papunësisë: 40%, vleftësim 2007. Cite error: Invalid <ref> tag; name "CIA Kosovo" defined multiple times with different content
  3. Enti Statistikor i Kosovës, "Popullsia," Portali i Qeverisë së Kosovës n. 10.07.2009
  4. QIK, "Topi: Kosova solli stabilitet në rajon," Iliria News Agency (5 maj 2008) n. 05.08.2009
  5. Noel Malcolm, Kosovo: A Short History (UP: New York, 2003)
  6. WatchMojo, "The Illyrian Empire," Youtube
  7. George Szamuely, "Soros' World," New York Press (22 gusht 2000), n. 13.07.2009
  8. CIA, "Country Comparison: GDP - per capita (PPP)," The World Factbook; Kosova radhitet e 180-ta në botë prej 230 entiteteve politike sipas PVB për krye banori me barazim të fuqisë blemëse; vl. 2007.
  9. S. Gashi, "Kosova nënshkroi antarësimin në FMN dhe Bankën Botërore," RTK Live (29 qershor 2009)
  10. Kushtetuta e Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës (Enti gazetaro-botues "Gazeta Zyrtare e KSAK": Prishtinë, 1974), neni 1.
  11. Устав Социјалистичке Федеративне Републике Југославије, 1974; Члан 1. (Kushtetuta e RSFJ-së, 1974, neni 1.) Wikisource, n. 05.08.2009
  12. KosovaThanksYou n. 19.04.2011
  13. RTK, "Kosova nënshkroi antarësimin në FMN dhe Bankën Botërore," RTK Live (11 korrik 2009) n. 11.07.2009
  14. Ramón Lobo, "Entrevista: Tomislav Nikolic: 'Para Serbia, Kosovo será un Estado inexistente'," El País (1 shkurt 2008) n. 14.07.2009